Ndonëse Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë vendosur të bojkotojnë zgjedhjet vendore, kjo nuk ka sjellë asnjë shqetësim te ndërkombëtarët. Pak ditë më parë, Prezenca e OSBE ka bërë të ditur se në Tiranë do të vijë një grup vëzhguesish prej 18 veta dhe në krye të tyre do të jetë britanikja Audrey Frances Glover, e cila njihet dhe si “armike” e ish kryeministrit Sali Berisha. Por pas OSBE, edhe Këshilli i Europës ka vendosur dërgimin e një misioni vëzhgues për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, i cili do të jetë në Shqipëri në periudhën 26 qershor-1 korrik 2019. Këtë informacion e bëri të ditur vetë shefja e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Jutta Gutzkow, gjatë një takimi me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi në selinë e Parlamentit. Ruçi vuri në dukje se bashkëpunimi i Kuvendit të Shqipërisë me Zyrën e Këshillit të Evropës ka qenë i shkëlqyer dhe shprehu bindjen se ky bashkëpunim do vijojë të jetë fryt sjellës.

“Kemi bashkëpunuar me zyrën e KiE-së në Tiranë për përgatitjen e disa ligjeve të rëndësishme, si ligji për reformën ne drejtësi, reforma zgjedhore, ligji për pakicat kombëtare, ligji për reformën administrative etj. Ka qenë një bashkëpunim i shkëlqyer dhe në shërbim të politikave reformuese në vendin tonë. Ndërkohë, do të sugjeroja që në kuadër të 70-vjetorit të themelimit të Këshillit të Europës të organizonim aktivitete të përbashkëta mes Kuvendit dhe Zyrës suaj për të kremtuar këtë përvjetor të organizatës liderë të drejtave të njeriut”, deklaroi kryetari i Kuvendit. Shefja e Zyrës së Këshillit të Europës, Jutta Gutzkow, falënderoi kryetarin e Kuvendit për bashkëpunimin e deritanishëm midis Kuvendit dhe Zyrës së Këshillit të Europës dhe e siguroi për vijimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen. Në fokus të bisedës gjatë takimit ishin edhe bashkëpunimi me Komisionin e Venecias dhe opinionet e kërkuara për projektligjet nga Kuvendi i Shqipërisë, situata politike në vend, dhe ecuria e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.