Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, 9 e 11, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpalljen “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” të territorit me sipërfaqe 241 818 m2 (dyqind e dyzet e një mijë e tetëqind e tetëmbëdhjetë) m2 dhe objekte ndërtimore 54 022.6 (pesëdhjetë e katër mijë e njëzet e dy pikë gjashtë) m2, pjesë e zonës kadastrale nr.8523, në Elbasan, të përbërë nga parcelat me numrat e pasurive dhe sipërfaqet përkatëse, sipas listës dhe genplanit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Shtrirja, kufijtë, pikat e hyrjes e të daljes së kësaj zone përcaktohen në genplanin që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Veprimtaritë që do të zhvillohen në këtë zonë janë të llojeve:

a) prodhuese, industriale dhe agropërpunimi;
b) përpunimi dhe magazinim mallrash;
c) tregtare eksport-import;
ç) shërbime.

4. Periudha e funksionimit të zonës është 35 (tridhjetë e pesë) vjet, me të drejtë përsëritjeje deri në 99 (nëntëdhjetë e nëntë) vjet.
5. Zhvillues i zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik shpallet “Ital-Druri”, sh.p.k.

6. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA