Shqipëria vijon të mbetet pa Gjykatë Kushtetuese. Vetingu shpartalloi shumicën e anëtarëve të saj dhe momentalisht nuk mund të merret asnjë vendim për çështjet kushtetuese. Shpresat ishin te Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, por edhe ky organ po has vështirësi. Një ditë më parë gazeta tregoi se 5 kandidatë u skualifkuan, ndërsa 5 të tjerë u tërhoqën. Por mbi punën e KED është hartuar një raport nga Komisioni i Monitorimit të Reformës në Drejtësi, komision i ngritur nga Parlamenti. Gazeta ka siguruar raportin e plotë dhe ekspertët e komisionit kanë vënë re shumë paqartësi mbi strategjinë që po ndjek KED në përzgjedhjen e kandidatëve. Sipas raportit, dispozitat ligjore kanë autorizuar KED për detajimin e mëtejshëm të kritereve morale-profesionale të vlerësimit të kandidatëve dhe për të përcaktuar peshën specifike të tyre në renditjen e kandidatëve. Këtë detajim KED-ja e konsideron të realizuar nëpërmjet miratimit të vendimit nr.5/2019. Më tej thuhet se ky vendim, në pikën 11 të tij parashikon se ndarja e kritereve të vlerësimit në kategori, lista e kritereve që përbëjnë secilën kategori, pikëzimi maksimal i secilës prej tyre, si edhe burimet dokumentare dhe metoda e vlerësimit përcaktohen në mënyrë të hollësishme nga: a) shtojca nr. 1 “Kriteret e vlerësimit dhe metodologjia e pikëzimit të kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese”; b) shtojca nr. 2 “Kriteret e vlerësimit dhe metodologjia e pikëzimit të kandidatëve për inspektorë të lartë të drejtësisë”. “Këto shtojca duhet të ishin shteruese përsa i përket metodologjisë së pikëzimit të secilit kriter. Ndërkohë që në pikën 12 të Vendimit, është parashikuar që Këshilli miraton dhe bën publike shpjegime të hollësishme lidhur me metodologjinë mbi të cilin bazohet në vlerësimin dhe caktimin e pikëve lidhur me secilin prej kritereve të treguar në shtojcat nr. 1 dhe nr. 2, të këtij vendimi. Pra vetë vendimi dhe shtojcat e tij nuk janë shteruese në lidhje me metodologjinë e pikëzimit duke mos krijuar kështu ende një tablo plotësisht transparente në lidhje me vlerësimin e kandidaturave të paraqitura tashmë”, thuhet në raport.

Kandidimi i shumëfishtë

Në raport është përmendur dhe kandidimi i shumëfishtë, pasi shumë emra kanë shfaqur interes në disa vende vakante. “Në pikën 29 të vendimit, është parashikuar procedura për rastin e kandidatëve që, njëkohësisht, kanë shprehur interes për më shumë se një vend vakant. Në mënyrën se si është trajtuar procedura në këtë rast, nuk ka asnjë dallim nga procedura dhe afatet që do të ndiqet edhe për rastet e tjera. Me qëllim garantimin e efektivitetit të procesit dhe të administrimit të dokumentacionit, do të ishte e pritshme që në këtë rast të kishte një thjeshtim të procedurës, duke i kërkuar kandidatit të saktësonte dhe plotësonte vetëm një herë dokumentacionin, i cili pastaj të vihej në dispozicion të të gjithë relatorëve që janë duke vlerësuar vendet vakante për të cilat ai ka kandiduar”, theksohet më tej.

Listat

Në raport deklarohet se ligji për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese parashikon se nëse ka më shumë se një vend vakant, Këshilli harton dy lista të veçanta, një prej të cilave është me kandidatët që vijnë nga radhët e gjyqësorit. Por është konstatuar se pavarësisht se KED ka marrë një vendim që shkon në një linjë me parashikimin ligjor, konstatohet se është e paqartë arsyeja se përse duhet të ketë dy lista të ndara të kandidatëve dhe se si do të bëhet në vazhdim votimi nga organet e emërtesës, kur para tyre paraqiten dy lista dhe nga cila listë do të bëhet përzgjedhja. “Theksojmë dhe njëherë që kjo paqartësi vjen nga vetë dispozita ligjore, dhe është transportuar në mënyrë automatike dhe në Vendimin nr.5 të KED-së, por që do të rezultojë problematike në momentin e zbatimit nga KED dhe nga organet e emërtesës më pas”, thuhet në raport.

Kliti Topalli