Komisionieri slloven i Menaxhimit të Krizave në BE Janez Lenarçiç do të udhëtojë drejt Shqipërisë ditën e mërkurë për të parë situatën e krijuar në vendin pas rënies së tërmetit të fuqishëm 6.4 të shkallës Rihter, që shkaktoi tragjedinë e vdekjes së 50 vetave.

Lajmin e dha presidentja e re Komisionit Europian Ursula von Der Leyen, e cila sot sapo mori detyrën e re në BE.

Ajo bëri me dije gjithashtu se ka komunikuar në telefon me kryeministrin Rama. Von Der Leyen thekson se BE-ja është pranë të gjithë shqiptarëve, që kanë kaluar 4 ditëve të tmerrshme pas rënies të një numri të madh tërmetesh.

Mesazhi i Ursula Von Der Leyen:
Janez Lenarçiç do të udhëtojë në Shqipëri të mërkurën. I kam kërkuar të më informojë vazhdimisht për situatën.

Sapo fola me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, i cili më tregoi për situatën e vështirë në vend pas tërmetit. Kam një respekt të madh për popullin shqiptar, i cili është treguar i qetë pavarësisht kushteve të rënda. Dua t’i sigurojë shqiptarët se BE-ja është pranë tyre me dhimbje dhe veprim’’, deklaron Von Der Leyen.

NEWSBOMB