BB: Shqipëria rrit mbulimin dhe cilësinë e arsimimit dhe kujdesit tek fëmijët
BB: Shqipëria rrit mbulimin dhe cilësinë e arsimimit dhe kujdesit tek fëmijët

Shqipëria e ka rritur mbulimin dhe cilësinë e arsimimit dhe kujdesit në fëmijërinë e hershme.

Indeksi i Kapitalit Njerëzor (IKNJ), i prezantuar sot në Takimet Vjetore të Bankës Botërore dhe FMN-së, tregon se një fëmijë i lindur sot në Shqipëri kur të rritet do të ketë 62% të produktivitetit që do të kishte nëse do të gëzonte arsimim të përfunduar dhe shëndet të plotë. IKNJ për Shqipërinë është më i lartë nga sa do të pritej nisur nga vende me të njëjtin nivel të të ardhurave.

Studimi i Bankës Botërore i prezantuar sot u paraqet politikëbërësve dëshmi bindëse se arritja e rezultateve më të mira në shëndetin dhe shkollimin e fëmijëve mund t’i rrisë ndjeshëm të ardhurat e njerëzve dhe të vendit, me përfitime që do të ndihen edhe në të ardhmen e largët.

Sipas raporti të BB-së, hyrja e fëmijëve shqiptarë në arsimimin parashkollor është rritur ndjeshëm nga 58 për qind në vitin 2007 në 83 për qind në vitin 2017. Në periudhën afatgjatë, mundësitë e hershme për mësim sjellin arritje më të larta mësimore, produktivitet më të lartë pas shkollës dhe të ardhura më të larta dhe kanë një shkallë më të lartë përfitimi për grupet në pozita të cenueshme.

Por duhet bërë më shumë për cilësinë e arsimit parashkollor dhe gjithëpërfshirjen, sidomos për fëmijët në pozita të pafavorshme, që është edhe një prioritet i njohur nga Qeveria e Shqipërisë.

Shqipëria ka arritur t’i përmirësojë rezultatet e veta mesatare në PISA, paçka se në kushtet e një sistemi arsimor në zgjerim të shpejtë, sidomos në arsimin e mesëm nga rreth 40 për qind në vitin 2000 në 95 për qind në vitin 2015.

Të dhënat e zbërthyera sipas sekseve janë të disponueshme për 126 prej 175 vendeve që mbulon Indeksi./ATSH