Këshilli Bashkiak i Elbasanit, në mbledhjen e tij të radhës, miratoi draft raportin për Vlerësimin e Gjendjes Ekzistuese, Shërbimi dhe Infrastruktura e Ujitjes dhe Kullimit i cili është përgatitur nga Agjencia e Shërbimeve Publike, Sektori i Ujitjes dhe Kullimit i Bashkisë Elbasan, nëpërmjet asistencës teknike të Programit për Planifikimin e Qeverisjes Vendore në Shqipëri (PLGP) të financuar nga USAID.
Qëllimi i këtij procesi është t’i sigurojë Bashkisë Elbasan një vlerësim të situatës si dhe një qasje më të strukturuar për ndryshimet dhe vendimet që duhen konsideruar menjëherë duke pasur parasysh Reformën Administrative-Territoriale dhe atë në sektorin e ujitjes dhe kullimit.
Raporti paraqet gjendjen aktuale dhe sfidat kryesore të ujitjes dhe kullimit në Bashkinë e Elbasanit.
Ai synon të raportojë aspekte institucionale, teknike dhe financiare; cilësinë e ujit; burimet njerëzore dhe fermerët e shërbyer nëpërmjet nënsektorëve publikë të ujitjes dhe kullimit.
Raporti gjithashtu do të do të reflektojë disa rekomandime për të ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar funksionin e sapokrijuar të shërbimeve të ujitjes dhe kullimit pranë bashkisë.
Theksojmë se ky raport është hartuar në një linjë me misionin dhe objektivat e Strategjisë Kombëtare të Ujitjes dhe Kullimit.
Në kuadër të Reformës Administrative Territoriale dhe ndikimit të saj në ristrukturimin dhe organizimin e shërbimeve të Ujitjes dhe Kullimit si përgjegjësi e re e Bashkisë, asistenca e projektit të USAID-it, për Planifikimin dhe Qeverisjen Lokale zhvillohet në tre faza: Vlerësimi i gjendjes ekzistuese të ujitjes dhe kullimit me fokus organizimin institucional dhe aspektet financiare; Përgatitja e rekomandimeve për të ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar funksionin e sapokrijuar të shërbimeve të ujitjes dhe kullimit në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Ujitjes dhe Kullimit; Anketim për vjeljen e përceptimit dhe matjen e kënaqësisë së qytetarëve të Bashkisë Elbasan për ofrimin e shërbimeve publike në përgjithësi dhe ujitjes e kullimit në veçanti.