Në kuadër të muajit të sensibilizimit kundër kancerit të gjirit, në Spitalin Rajonal të Elbasanit u organizua një aktivitet me gra, vajza dhe personelin shëndetësor. Ngritja më tej e zërit për ndërgjegjësimin ndaj kësaj sëmundje dhe identifikimi në kohë i saj, bëri bashkë në këtë aktivitet Kryetarin e Grupit Parlamentar Taulant Balla, deputeten Evis Kushi, deputetin, njëkohësisht mjekun Arben Kamami.
Balla kërkoi jo vetëm ndërgjegjësim të grave mbi ruajtjen e shëndetit të tyre, por mbi të gjitha sensibilizim të burrave, që të jenë nxitja kryesore që çdo grua të bëjë kontrollin vjetor të mamografisë:

“Apelin e parë do t’ua bëj burrave, bëhuni të përgjegjshëm dhe nxisni gratë, nënat dhe motrat tuaja të bëjnë kontrollin mamografik. Tashmë shumë kontrolle nuk është nevoja të bëhen në Tiranë, pasi Spitali Rajonal i Elbasanit ka pësuar një transformim të paimagjinueshëm në këto 4-5 vite. Po ndërtojmë një prej reparteve të kirurgjisë më të mira në Shqipëri. Po ashtu kemi ndjekur me kujdes të veçantë trajtimin që marrin pacientët e tumoreve në këtë spital. Pak kohë më parë shumë trajtime në lidhje me këtë sëmundje bëheshin në Tiranë, si kimioterapia për shembull.
E rëndësishme është të përçojmë mesazhin për rëndësinë e identifikimit në kohë të sëmundjes dhe i bëj apel secilës prej jush të flasë me çdo vajzë e grua.”

Muaji Tetor, dhe jo vetëm, sipas Ballës, duhet të shërbejë për të shpëtuar jetën e grave dhe për t’i ndërgjegjësuar ato për rëndësinë që kanë si pjesa më e rëndësishme e çdo familje, por fatkeqësisht, shtoi ai, më shumë zhurmë fitojnë deklarata apo video që s’kanë asnjë vlerë, aq më pak vërtetësi:

“Mua më vjen shumë keq që pjesën më të madhe të TV dhe lajmeve ne politikanët e zëmë duke u marrë me njëri tjetrin, por të paktën gjatë këtij muaji duhet të kishim mbyllur gojën të gjithë e të flisnim vetëm për luftën ndaj kancerit të gjirit.
Mjaft më me këto histori, video pas videoje, asnjëra e të cilave nuk është e vërtetë, por kjo pak rëndësi ka, këtë muaj duhet të apel i fortë publik për sa më shumë kontrolle kundër kancerit të gjirit.”

Mjekja onkologe Luljeta Vathi pasi bëri apel për kontroll të vazhdueshëm theksoi shërbimet dhe trajtimet që ofrohen në spitalin e Elbasanit:

“Shërbimi paliativ dhe kimioterapi funksionon shumë mirë, është një shërbim i ri për spitalin e Elbasanit, i vendosur pranë repartit të Patologjisë, por ajo që dua të theksoj është parandalimi që mund t’i bëni sëmundjes nëse bëni kontrolle të vazhdueshme.”

Natasha Hoxha e identifikoi në kohë sëmundjen dhe e mundi atë. Nuk ishte një rrugë e lehtë, por ajo sot gëzon shëndet të plotë dhe bën apel për çdo vajzë e grua:
“Ju jap vetëm një këshillë, bëni kontrollin, bëni mamografinë, mos neglizhoni kontrollet, bëhuni zot të jetës tuaj.”

Si mjek Arben Kamami theksoi koston e madhe psikologjike që sëmundja ka për pacientin dhe të gjithë familjen, por kësaj i shtohet edhe kostoja financiare e trajtimit, ndërsa 2 ekzaminime evitojnë një rrugë të gjatë dhe shpëtojnë jetë:

“Sëmundjet tumorale janë sëmundje me kosto morale e financiare për pacientin, për familjen apo për sistemin shëndetësor dhe të gjitha këto evitohen nga disa ekzaminime të thjeshta si ekografia dhe mamografia. Janë ekzaminime të thjeshta, pa asnjë kosto shtesë të cilat çdo grua duhet t’i bëjë.”

Deputetja Evis Kushi si grua bëri apel për më shumë vëmendje dhe më shumë kujdes të grave ndaj shëndetit të tyre. “Shëndeti i nënës, është shëndeti i të gjithë familjes”, tha Kushi:
“Dua t’u jap vetëm disa shifra për të kuptuar se sa i madh është ky rrezik dhe sa të ekspozuara jemi ne gratë. Sot në botë 1 në 8 gra preket nga kanceri i gjirit. E thënë ndryshe, çdo 29 sekonda diagnostikohet një grua me kancer gjiri dhe kjo është sëmundja që sot shkakton vdekshmërinë më të lartë të grave dhe vajzave në botë. Por, nga ana tjetër është vërtetuar shkencërisht që nëse sëmundja identifikohet herët mund të luftohet dhe të shpëtohen jetë.”

Mamografia identifikon kancerin e gjirit shumë herët, atëherë kur ndryshimet nuk mund të shihen me sy apo të preken me dorë. Mamografia mund ta dallojë kancerin e gjirit rreth dy vjet para shfaqjes së shenjave, kur ka akoma shanse për t’u trajtuar me sukses. Gati gjysma e kancereve të gjirit, që arrijnë të identifikohen nga mamografia, janë akoma të vegjël dhe mund të trajtohen lehtë, mos e neglizhoni atë.