Dy grabitës të armatosur që përpiqeshin të largoheshin nga skena e krimit, rrëmbyen një kamionçinë, morën peng shoferin dhe më pas u ndoqën nga policia, në një operacion që përfundoi me viktima, në shtetin e Florida-s.

“Katër persona humbën jetën si pasojë e të shtënave në një rrugë të mbushur me kalimtarë, dy të dyshuarit, shoferi i kamionçinës dhe një kalimtar”, thanë agjentët e FBI-së.

Gjithçka filloi pasi dy persona të armatosur grabitën një argjendari në Majemi. Ndërsa ata u larguan nga vendngjarja, rrëmbyen një kamionçinë dhe morën peng shoferin. Të dyshuarit u futën me shpejtësi në rrugën ndërshtetërore në orët e pikut të mbrëmjes, duke kaluar nëpër disa konte, ndërsa oficerët e policisë i ndiqnin. Më shumë se 40 mjete të policisë ishin në ndjekje.  Kur kamionçina mbeti e bllokuar në trafik, pasoi një përplasje me armë. I gjithë episodi u transmetua live i filmuar nga helikopterët e stacioneve televizive.

Imazhet nga vendngjarja tregonin dhjetëra mjete emergjence dhe shumë makina të tjera të ndaluara në mënyrë kaotike në rrugë. FBI, sipas mediave amerikane, po kryeson hetimin.