Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda inspektoi sot zyrat e reja të aplikimit për dokumente biometrike në Njësinë 3 dhe 4 në Tiranë, ku përsëriti apelin për gjithë qytetarët që u skadojnë kartat ID të aplikojnë sa më shpejt.

“Sot jemi këtu në zyrat e aplikimit të Njësisë 3 dhe 4, në Tiranë. Janë zyra të reja, në të gjithë rrjetin e zyrave të reja të hapura jo vetëm në Bashkinë Tiranë por edhe në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Tashmë kemi rreth 160 zyra të reja të hapura në të gjitha bashkitë e territorit të vendit tonë. Zyra të reja të hapura jo vetëm në bashkitë e mëdha si Tirana, apo Shkodra, apo Fieri, por zyra të hapura edhe në bashkitë e mesme edhe në bashkitë e vogla. Siç e shikoni kemi njerëz, të cilët vijnë aplikojnë kërkojnë shpjegime pranë punonjësit të Gjendjes Civile dhe punonjëseve të aplikimit për të pyetur për aplikimin për karta identiteti por edhe për pasaportat biometrike. Shërbimin e marrin në një kohë shumë të shkurtër, pasi kushtet janë shumë të mira. Por ajo çfarë është e rëndësishme, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të nxitojnë dhe të vijnë për të aplikuar”, tha Voda.

Voda u kërkoi qytetarëve që të mos presin fundin e dhjetorit në mënyrë që të evitojnë radhët e gjata.

“Ju lutem të mos harrojmë se në 31 dhjetor 2019 skadon afati përfundimtar i vlefshmërisë së kartave të vjetra të identitetit (lëshuar në vitin 2009).  Pra, ka mbetur rreth një muaj e gjysëm afat, ndaj ju lutem ejani dhe aplikoni në këto kushte shumë të mira, pa u përballur më vonë me flukse të mëdha duke patur parasysh që fillon edhe aplikimi për skadencën e pasaportave biometrike”, ftoi qytetarët Voda.

Gjithashtu ajo sqaroi se “çdokush do të ketë mundësi të marrë shërbime cilësore, nëpërmjet kartave me element shumë të lartë sigurie, jo vetëm në institucionet shtetërore por edhe në institucione private si banka etj., por njëkohësisht edhe për të mundësuar lëvizjen e lirshme në vendet tona kufitare”.