Qyteti i Elbasanit gjithmonë është shquar për nivelin e lartë kulturor. Fushat kulturore –artistike në të cilat ndër vite kanë vepruar njerëz të talentuar janë të shumta. Një ndër to ishte edhe ajo e argëtimit të fëmijëve përmes kukullave marioneta, të cilat për qytetin e Elbasanit i solli me mjeshtëri Ramazan Shingjergji.

Që në vitin 1987 Ramazan Shingjergji prezantoi në teatrin Skampa marionetat mekanike të cilat ishin një risi për kohën kur u prezantuan. Ramazan Shingjergji i dedikoi pjesën më të madhe të jetës ndërtimit të kukullave dhe argëtimit të fëmijëve dhe tani që ai nuk jeton më që prej një viti, kolegët e tij kanë vendosur të ndajnë me shikuesit e Tv Skampa një pjesëz të punës së bërë prej tij ndër vite në teatrin e kukullave.

Bashkëshortja e Ramazanit e cilëson atë si një njeri të apasionuar pas punës që bënte dhe shumë të përkushtuar.

Kujtimet më të bukura për të ndajnë edhe miqtë dhe kolegët e tij.  Përkujtimi i punës së bërë nga Ramazan Shingjergji apo siç e njihnin elbasanasit “Dani” vjen edhe në kuadër të 100 vjetorit të shfaqjes së parë teatrale në Elbasan.

Edisona SKENDERI