Rreth 12 orë pas krimit që tronditi Tiranën, policia nuk ka asnjë të dyshuar. 26-vjeçari Rigers Gaxha është vrarë, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur: Ervis Martini dhe Laert Hasa.

Ata ndodhen në Spitalin e Traumës në kryeqytet, godina e të cilit është e blinduar nga forcat speciale të Policisë së Shtetit.

Prania në masë të madhe e tyre, duket se lidhet me dyshimin se situata mund të përshkallëzohet më tej, duke pasur parasysh se shënjestra e atentatorëve i ka mbijetuar të shtënave.

Po ashtu dhe pranë shtëpisë së Ervis Martinit, pranë Rrugës së Elbasanit, ka një prani të madhe të forcave speciale të policisë, të cilat vëzhgojnë me imtësi lëvizjet në atë zonë.

Paraprakisht mësohet se dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin ndihmën mjekësore, ndërsa i vdekur ka mbetur Rigers Gaxha, i cili mendohet se punonte si truprojë i Ervis Martinit.

Si ndodhi përplasja
Dy palët në konflikt kanë qenëbrenda lokalit. Mes tyre ka pasur fillimisht një konflikt fizik e mëpas u përdorën armët. Dyshohet se janë përdorur 2 pistoleta. Njëra prej tyre është gjetur në vendin e ngjarjes. Burimet thonë se konflikti ka nisur nga viktima Rigers Gaxha, i cili ka goditur me grusht palën kundërshtare.


Më pas ka pasur shkëmbim zjarri mes dy grupeve. Burimet thonë se skena ka qenë e përgjakshme dhe lokali është mbushur me gjak. Jashtë lokalit policia sekuestroi 2 mjete të cilat dyshohet se i përkisnin palëve në konflikt; një BMË dhe një Honda. Rreth 2 orë pas ngjarjes në një spital privat në Tiranë, u paraqit një tjëtër person i plagosur me armë. Policia nuk jep identitetin e të plagosurit.