“Federata Shqiptare e Futbollit sot për shkak të mbështetjes së drejtë buxhetore dhe qeverisë Rama 1 ka tre stadiume të reja, stadiumin e Elbasanit, Shkodrës dhe kompleksin sportiv të Tiranës”.

Kështu deklaroi sot ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në Kuvend në interpelancën e thirrur nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, lidhur me ligjshmërinë dhe barazinë fiskale në FSHF.

“Stadiumet janë ndërtuar në këtë vend vetëm në kohën e Enverit më 1980, që nga ajo ditë stadiume janë ndërtuar vetëm në mandatin e Rama 1 dhe në Rama 2 dhe jam i bindur që do të vazhdojë edhe në Rama 3”, theksoi Ahmetaj.

Kjo, vijoi ai, e ndan këtë maxhorancë nga opozita e sotme, maxhoranca e kaluar në vëmendjen ndaj sportit.

“Ky është një rast shumë i mirë për të bërë dallim midis dy qeverive asaj të para 2012 dhe qeverisë Rama 1 dhe Rama 2 për atë ça ka bërë për sportin. Struktura ligjore përsa i përket sporteve dhe sidomos futbollit dhe pjesës së pronësisë, e cila është konfuze, pjesës së sponsorizimeve dhe pjesës së promovimit të mbështetjes së sportit, që ka sjellë në rastin më të mirë një konfuzion dhe në shumë raste edhe kaos në klubet sportive dhe sidomos në klubet e futbollit të Republikës së Shqipërisë”, nënvizoi Ahmetaj.

Duke iu referuar kërkesës për interpelancë, Ahmetaj u shpreh se “duhet të them se kërkesa ka qenë e gjerë dhe për këtë arsye më jep mundësinë të flas gjerësisht. Po patjetër brenda mundësisë për të folur gjerë ka dhe detaje që do të hedhin dritë mbi situatën e klubeve futbollit apo aktivitetin e Federatës Shqiptare të Futbollit”.

“Ne kemi në dorë ligjin e sportit, i cili ka marrë mbështetjen e Ministrisë së Arsimit , një iniciativë e drejtpërdrejtë e Kryeministrit për të qartësuar më në fund situatën e pronësisë, të mbështetjes financiare, e përgjegjësive qoftë të bashkive qoftë të presidentëve të klubeve dhe do të ndihmojë transparencën dhe formalizimin e mëtejshëm në këtë fushë”, theksoi Ahmetaj.

Ministri Ahmetaj u shpreh se “a ka për të bërë më shumë për sportin futbolli apo shumë sporte të tjera, si peshëngritja janë krenaria e Shqipërisë, kemi qenë ne majtas e djathtas të emocionuar kur ekipi kombëtar në Francë bëri atë paraqitje spektakolare. Ishte kjo qeveri, maxhorancë, kryeministër që menjëherë me fitoren e asaj dite i akordoi kombëtares një pagesë 1 milion euro për të treguar vlerësimin se edhe nëpërmjet sportit dinjiteti kombëtar ka mundësi të rritet”, tha Ahmetaj./k.s/ /a.g/