“Forca e ekipit tonë është grupi, dhe nëse ne luajmë si grup, ndeshja do të fliste njësoj”, deklaroi futbollisti i Kombëtares Andi Lila në konferencën për shtyp përpara ndeshjes miqësore me Jordanine, që do të zhvillohet sot në orën 20:00 në “Elbasan Arena”.

Andi Lila u shpreh se, “jam që në 2007-ën me kombëtaren dhe sa herë kur vjen ftesa nga kuqezinjtë, nuk më zë gjumi. Është gjëja më e bukur që mund të të ndodhë. Shpresoj që ky zjarr të vazhdojë edhe më tutje. Të jem i sinqertë, forca e ekipit tonë është grupi, dhe nëse ne luajmë si grup, ndeshja do të fliste njësoj. Shpresoj të jetë ndeshje e mirë dhe të bëjmë atë që bëmë 2 vjet më parë. Ne kemi pasur gjithmonë shpirt gare. Megjithatë përpara kësaj, kemi ndeshjen me Jordaninë, pastaj të shohim me Izraeli”.

I pyetur për shiritin e kapitenit, Lila theksoi se, “shumë respekt për të gjithë kapitenët. Në kombëtare kapiteni nuk është mbi të tjerët. Këtu janë të gjithë njësoj dhe shpresoj që të gjithë të bëjnë punën në fushë. Nuk duhet të ketë diferenca në ekipin kombëtar. Të them të drejtën, çdo i ri që vjen, nuk ndjen asnjë lloj presioni. Ne u kemi qenë afër. Fundja ne jemi shqiptarë dhe duam të bëjmë sa më mirë në fushë. Ekipi kombëtar ka një të ardhme shumë të ndritur me të rinjtë që kanë ardhur”, tha Lila.

/gj.mima/j.p/atsh