Reparti Zjarrfikës i Elbasanit është kompletuar me 5 automjete zjarrfikëse të kohës, të pajisura gjithashtu dhe me aparatura shpëtimi. Me buxhetin e saj Bashkia e Elbasanit kompletoi këtë repart, i cili për shkak të rëndësisë së tij, meriton të ketë të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të ndërhyrë në kohë të shpejtë dhe në territore të ndryshme.
Kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini së bashku me Kryetarin e Grupit Parlamentar Taulant Balla dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Zjarrfikës Alfred Këstuli panë nga afër ristrukturimin total të këtij reparti duke u njohur edhe me pajisjet e reja.
“Me fondet e Bashkisë së Elbasanit janë blerë 5 zjarrfikëse të domosdoshme të cilat plotësojnë të gjitha kërkesat për ndërhyrje të shpejtë dhe efikase në raste zjarri”, tha Sejdini.
Kryetari i Bashkisë theksoi gjithashtu se në kuadër të mirëfunksionimit dhe efikasitetit të këtij shërbimi, një pjesë e repartit do të zhvendoset më pranë qytetit, për të evituar edhe ngarkesën e trafikut.
Z. Balla vlerësoi punën e Bashkisë së Elbasanit për të qenë në pararojë dhe këtë herë për një shërbim kaq të rëndësishëm:
“Ky është suksesi i decentralizimit të plotë të Shërbimit Zjarrfikës. Nuk mund të mungonte fakti që Bashkia Elbasan të ishte pararojë e një procesi ristrukturimi. Shërbimi Zjarrfikës tashmë është i pajisur me të gjitha mjetet e domosdoshme për të qenë në gatishmëri të plotë dhe efektive, jo vetëm ndaj zjarreve, por edhe ndaj aksidenteve rrugore.
Jemi në një kohë që në pjesë të ndryshme të Shqipërisë ka pasur zjarre dhe është kërkuar ndërhyrja e zjarrfikëseve, ndërkohë që në Elbasan, eksperiencat e viteve të shkuara bënë që Kryetari i Bashkisë Z. Sejdini, të realizojë një prej reformave më të suksesshme të Shërbimit Zjarrfikës,” tha Balla.
Për Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Zjarrfikës, merita i takon reformës së Qeverisë për decentralizimin e këtij shërbimi dhe Bashkisë së Elbasanit si pararojë në plotësimin dhe vënien në efikasitet të plotë të repartit:
“Po shohim me sytë tanë rezultatet mjaft pozitive të reformës së bërë nga Qeveria Shqiptare përsa i përket decentralizimit të Shërbimit Zjarrfikës.
Shërbimi Zjarrfikës kaloi në varësi të bashkive dhe vetëm Bashkia e Elbasanit, me buxhetin e saj bleu 5 automjete zjarrfikëse duke e kompletuar stacionin.”
Përveç modernizimit të repartit të saj zjarrfikës, Bashkia e Elbasanit u ka ardhur në ndihmë edhe bashkive të Baleshit e Cerrikut duke u dhënë makineritë e veta ekzistuese.