Specialistë të Institutit të Monumenteve të Kulturës, bashkë me studiuesen franceze Marie-Patricia Raynaud, njëherazi bashkëautore e librit ”Korpusi i Mozaikëve të Shqipërisë” dhe me Z. Agron Islami, përgjegjës i sektorit të artit pranë IMK, ndodhen sërish në terren për mbledhjen e informacioneve rreth mozaikëve në shqipëri.
 
Përgjatë kësaj jave, grupi i specialistëve është duke studiuar dhe dokumentuar të gjitha të dhënat e nevojshme rreth Mozaikut të Bazilikës Paleokristiane. E pozicionuar fare pranë qendrës së qytetit të Elbasanit, Bazilika është një ndër monumentet më me vlerë të qytetit. Zbulimi i mozaikut u bë i mundur në gjysmën e parë të vitit 2007, gjatë gërmimeve të bëra në këtë bazilikë në një thellësi rreth 3 m.