Paketa fiskale, personat fizik do të kenë vetëm një NIPT

Paketa fiskale e vitit 2019, parashikon një tjetër ndryshim të rëndësishëm i cili nuk lejon personat fizikë të kenë më shumë se një NIPT.

Aktualisht, një person fizik mund të hapë disa biznese njëkohësisht me NIPT-e të ndryshme. Rrjedhimisht, duke copëtuar aktivitetin ai qëndron poshtë kufirit 5 milionë lekë të xhiros vjetore, duke mos paguar tatim mbi fitimin.

Por, nga një janari, personat që kërkojnë të hapin më shumë se një biznes do të kenë vetëm një NIPT. Rrjedhimisht, ndërmarrjet e tyre do të konsiderohen si një biznes i vetëm.

Pra, nëse një person fizik ka 4 biznese që kanë xhiro nga 5 milionë lekë në vit secili dhe sot nuk paguan tatim mbi fitimin, nga 1 janari këto katër biznese do të konsiderohen si një biznes i vetëm me xhiro 20 milionë lekë. Rrjedhimisht, ky qytetar që sot nuk paguan asnjë lekë tatim mbi fitimin, nga 1 janari do të paguajë 15%. /ATSH