Pas denoncimit të qytetarëve, bashkia e re e Kavajës ndërmori një aksion të gjerë duke pastruar në kohë rekord pirgjet me mbeturina në zonën turistike të Golemit.

Përmes një reagimi Kryeministri Edi Rama ka bërë publike zgjidhjen e këtij problemi, pasi ia drejtoi denoncimet e qytetarëve bashkisë së Kavajës, e cila tashmë drejtohet nga kryebashkiaku socialist, Redjan Krali.

“Vazhdon edhe falë pushuesve që nuk heshtin, çlirimi i zonës turistike të Golemit, nga plehrat që la pas si relike të lëvizjes antishtet, kryebashkiaku i Kavajës”, shprehet Rama.

Kryeministri i ka kthyer përgjigje qytetarit që i ka dërguar pamje nga plazhi në Golem, ku mbeturinat kishin pushtuar hapësirat pranë tij. “U krye”, shprehet Rama, duke publikuar edhe foto nga zona turistike e Golemit ku punonjësit e bashkisë vijojnë aksionin e pastrimit.

Vetëm pak ditë pasi mori detyrën, Kryetari i ri bashkisë së Kavajës, Redjan Krali, ka ndërmarrë një aksion për pastrimin e vijës bregdetare të Golemit, të lënë në harresë nga ish-kryetari i kësaj bashkie.