Sot të gjithë individët që kanë mbushur moshën e daljes në pension, por janë ende në marrëdhënie pune, përfitojnë pension, por njëkohësisht paguajnë edhe kontribute sipas pagës që marrin.

Pavarësisht se janë ende në skemë, kontributi i tyre nuk ju llogaritet si shtesë në pension. Por duket se Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka gati një projektligj i cili pritet që të ndryshojë këtë praktikë, duke u mundësuar pensionistëve ende kontribuues në skemë që të marrin një shtesë pensioni çdo vit.

Relacioni i projektligjit “Për sigurimet shoqërore”, nxjerrë për konsultim nga Financat parashtron edhe këtë ndryshim të propozuar. Sipas këtij relacioni, thuhet se në projektligjin që paraqitet për shqyrtim, ndër të tjera është parashikuar edhe vendosja e një mbi pensioni për të gjithë pensionistët që ndërkohë që marrin këstet mujore të pensionit të pleqërisë, edhe punojnë dhe paguajnë kontribute.

Ndërkohë duke pasur parasysh se pensioni mujor, sidomos pensioni minimal është në kushtet e mjaftueshmërisë të plotësimit të kërkesave jetësore, me një dispozitë të veçantë, është miratuar lejimi i tërheqjes së pensionit të pleqërisë kur personi është i punësuar apo vetëpunësuar me kusht që ai të paguajë kontribute.

Në këtë projektligj parashikohet që vetëm për rastet e kreditimit të kësteve të pensionit në llogarinë e pensionistit, për periudha mbasi ai ka ndërruar jetë, organet e sigurimeve shoqërore të nxjerrin një titull ekzekutiv i cili do të zbatohet nga bankat” nënvizojnë Financat. Projektligji do të konsultohet me grupet e interesit dhe më pas do të marrë formën finale për të kaluar në qeveri.

Edlira XHERRI