Propozimi e Dhomës së Tregtisë, të ulet taksimi i pagave

Kreu i dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka publikoi propozimet e Dhomës së Tregtisë për sa i përket paketës fiskale të vitit 2019, në një dalje të posaçme për mediet.

Jaka tha se Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon disa ndryshime për taksimin e pagave. “Ne propozojmë që për pagën deri në 35 mijë lekë, taksa të jetë zero, nga paga deri në 30 mijë lekë që është aktualisht. Nga 35 mijë lek deri në 335 mijë lek taksimi të jetë 10%. Dhe për pagat mbi 335 mijë lek taksa të jetë 20%. Kjo është mënyrë që ne t’i japim frymëmarrje shtresës së mesme”, tha Jaka.

Kreu i Dhomës së Tregtisë propozoi që TVSH të ketë një prag zero deri në qarkullim të vlerës 10 milionë lek. “Është një ndihmë e madhe për bizneset sepse i heqim edhe nga barra e madhe e bërjes së bilanceve. Ndërkohë që është menduar se për këtë shtresë të bizneseve të aplikohet një taksë fikse 1% e qarkullimit tregtar”, tha ai.

Jaka shpjegoi se ekspertët e dhomës së Tregtisë kanë menduar ”që të ketë një taksë luksi për të gjitha rezidencat mbi 200 metra katrorë, dhe në vlerën mbi 300 mijë euro në bregdetin shqiptar, pasi është një pjesë e vogël e shoqërisë shqiptare që i shfrytëzon këto resurse që ka vendi ynë e nuk paguan asgjë. “Ne propozojmë që kjo taksë të jetë 500 lek për metër katror në vit”, tha ai.

Dhoma e Tregtisë propozoi edhe që të ketë një ulje për taksën e pasurisë për bizneset, nga 0.5 në 0.3 %

Nikolin Jaka propozoi që magazinat me sipërfaqe të madhe, ndërmarrjet e përpunimit, ndërmarrjet e prodhimit dhe fasoneria të taksohet me 00,5%.

Ndër të tjera u propozua që taksa e infrastrukturës nga 8% e çmimit të shitjes të kalojë në 5 %, dhe pagesa të bëhet me këste.

Jaka propozoi që ”qeveria të rishikojë taksën e zhavorrit bituminoz, sepse rrit koston e këtij produkti, pasi taksa është 2 mijë lek për ton ndërkohë që një ton kushton 22 euro, pra kjo taksë e dyfishon koston e këtij produkti për të cilin ka shumë kërkesë në treg”.

Kreu i Dhomës propozoi që ”tatim-fitimi progresiv deri në 2 milionë dollarë apo dy qind milionë lek të fituara nga korporatat të jetë 15 %, nga 200 milion deri në 400 milionë të jetë 20% dhe mbi 400 milionë të jetë 30 %”.

Ndërkohë, Jaka tha se do t’i ”kërkojmë qeverisë por edhe të gjithë klasës politike që Dhoma e Tregtisë, shoqatat  e ndërtuesve të transportit apo edhe shume shoqata të tjera të jenë pjese e tryezave, pjesë e dialogut në komisionet e ekonomisë dhe të ligjeve për të gjetur rrugën e bashkëpunimit për sa i përket paketës së re fiskale. /ATSH