Shërbime të reja konsullore për emigrantët në Milano e Athinë
Shërbime të reja konsullore për emigrantët në Milano e Athinë

Shërbimi Konsullor Online i shmang qytetarit humbjen e ditës së punës, udhëtimet e gjata, pritjen në Përfaqësi, kostot e larta për përfitimin e shërbimit të kërkuar. Shërbimi Konsullor Online ka një procedurë të thjeshtëzuar dhe cilësi të lartë.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka zhvilluar sot një interpelancë me një grup qytetarësh që marrin shërbime konsullore pranë konsullatës shqiptare në Milano dhe në ambasadën shqiptare në Athinë në kuadër të Platformës së Bashkëqeverisjes.

Kjo interpelancë, e kërkuar nga qytetarët si një ndër mënyrat më të mira për komunikim të drejtpërdrejtë me ministrin Bushati, kishte në fokus të saj njohjen, ofrimin dhe organizimin e shërbimeve konsullore, procedurat e ndjekura, metodat e reja digjitale apo dhe vështirësitë e përdorimit të tyre.

Duke falënderuar qytetarët për këtë nismë, ministri Bushati kujtoi se para disa vitesh, Milano dhe Athina ishin dy pika të errëta për atë çka ofronin për bashkatdhetarët tanë. Megjithëse ende ka shumë punë për t’u bërë, sot, tha ministri, kemi një përmirësim të dukshëm në këtë drejtim.

Duke iu përgjigjur shqetësimit të bashkatdhetarëve tanë në Greqi, ministri përmendi si një hap të rëndësishëm, heqjen e rezervës për vulën apostile, e cila ka pasur efekte të ndjeshme në xhepat e qytetarëve afro 6.9 milionë euro.

Si një arritje pozitive e shërbimit konsullor nga qytetarët u vlerësua zbatimi i Platformës “SHKO”. Në interes të pyetjes së tyre, ministri Bushati u shpreh se në procedurat konsullore, nga 187 dokumente që nevojiteshin për 39 shërbime, numri i tyre u ul në rreth 40% më pak, duke u reduktuar me plot 75 dokumente. Po kështu, duke i shërbyer sa më efektivisht dhe në kohë rekord nevojave të qytetarëve, sipas ministrit, të gjitha shërbimet sot, prenotohen dhe aplikohen online në distancë, në konsultim me diplomatët konsullorë, përmes emailit dhe në monitorim. Standardizim i plotë i dokumenteve dhe procedurave të shërbimeve ka ulur ndjeshëm fenomenet korruptive dhe ka rritur transparencën për qytetarët tanë.

Po kështu, ministri foli dhe për 39 shërbime në përfaqësitë e 12 shteteve si, në Itali, Hungari, Sllovaki, Austri, Bullgari, Republika Çeke, Kosovë, Kroaci, Japoni, Mal i Zi, Rumani, Turqi dhe Zvicër, ku qytetarët kanë mundësi të tërheqin certifikatat e gjendjeve civile e po punohet në këtë drejtim edhe me 9 vende të tjera.

Duke iu përgjigjur interesimit të tyre mbi votën e emigrantëve, ministri Bushati u shpreh se ekziston një platformë e qartë për t’u materializuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare por, i rëndësishëm është vullneti politik. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Brendshme janë në procesin e regjistrimit të shtetasve jashtë vendit.

Në fund të diskutimit, ministri u shpreh se dëshiron që të vijojë ky komunikim i hapur ku të skicohen rrugëzgjidhjet e mundshme për shumë çështje të cilat prekin drejtpërdrejtë qytetarët shqiptarë jashtë atdheut.

/ATSH