Shërbimi Konsullor Online i shmang qytetarit humbjen e ditës së punës, udhëtimet e gjata, pritjen në Përfaqësi, kostot e larta për përfitimin e shërbimit të kërkuar. Shërbimi Konsullor Online ka një procedurë të thjeshtëzuar dhe cilësi të lartë.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati zhvilloi sot një interpelancë me shqiptarët që jetojnë në Greqi dhe Itali.

Interpelanca u kërkua nga shqiptarët që jetojnë në Greqi dhe Itali, për shërbimet konsullore. Kjo interpelancë është e para që zhvillohet me shqiptarët jashtë vendit.
Ministri Bushati u shpreh se, ”po përpiqemi të reduktojmë hallkat për marrjen e pasaportave”.

“Viti i ardhshëm është viti i skadimit të pasaportave të 10 viteve më parë”, tha ministri Bushati, i cili gjithashtu shtoi se, “është përgjysmuar koha e marrjes së pasaportës, 2-4 javë”.

Bushati gjithashtu theksoi se ka reduktim të tarifave për shërbimet konsullore

“Për patentat me Greqinë, pala shqiptare i ka ezauruar të gjitha procedurat. Shpresoj që pala greke të përfundojë sa më shpejtë procedurën”, u shpreh ministri Bushati.

Ndërsa sa i përket votës së emigrantëve , Bushati u shpreh se, “më parë duhet vullnet politik, pastaj garantim në praktikë”

“Me Ministrinë e Brendshme po evidentojmë shtetasit shqiptarë jashtë Atdheut”, theksoi ministri Bushati.

/gj.mima/j.p/